Shehi: Frikë vetëm nga vetja, ndërrimi i trajnerit na vështirëson duelin ndaj Dinamos

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për mediat në prag të ndeshjes së kundër Dinamos që do të luhet në “Elbasan Arena”. Tekniku i bardhebluve kërkon impenjim maksimal nga skuadra edhe për këto sfida të mbeturapër të arritur te titulli kampion.

“Mungojnë edhe 11 ndeshje nga përfundimi i kampionatit, jemi pranë arritjes së objektivit, por duhet të vazhdojmë me këtë ritëm edhe në këto ndeshje të mbetura. Ndeshjet do ti kemi të gjitha jashtë me mbylljen e “Air Albania”.

Rivali më i frikshëm? 11 javë dhe 33 pikë në lojë ne kemi frikë vetëm veten tonë. Duhet të impenjohemi maksimalisht edhe në këto javë të mbetura. 10 pikë janë shumë por duhet të vlerësojmë çdo ndeshje dhe të vazhdojmë me të njëjtën impenjim.

Dinamo? Ndërrimi i trajnerit të vështirëson pak, na e vështirëson pak situatën. Na mbetet për të marrë masat. Duhet të jemi të vëmendshëm dhe të qetë për të marrë masat për mënyrën e rreshtimit dhe lojën e kundërshtarit.

Ndeshja e nesërme është shumë e rëndësishme. Trajnerët shkojnë e vijnë. Klubi është më i rëndësishëm. Ne duhet të vazhdojmë të arrijmë objektivin. Jemi shumë pranë titullit dhe duhet të bëjmë krenarë tifozët dhe të gjithë stafin.

50 ndeshje në krye të Tiranës? Është privilegj të jesh trajner i Tiranës, është kënaqësi. Çdo ditë vij në punë sikur kam gjithë jetën këtu dhe iki sikur është dita e fundit”, tha strategu i Tiranës.

SHKARKO APP