Shehi: Kemi mungesa, Bylis është një kundërshtar që ka bërë mirë
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes kundër Bylisit. Tekniku i bardhebluve ka evidentuar mungesat si dhe punën e mirë të bërë nga Xhixha këtë sezon në shënimin e golave.
“E shohim si përballje e radhës dhe si një kundërshtar që ka bërë mirë këto javë, jo më kot është një pikë më pak se ne. Gjendja e grupit është e mirë. Na rikthehet Bruno Lulaj pas pezullimit me kartonin e kuq. Na vazhdon të mungojë Najdovski për shkak dëmtimi dhe shpresoj që ta kemi sa më shpejt, ndërsa pjesa tjetër është e plotë për sfidën e nesërme.
Jemi të kënaqur me sasinë e golave të shënuar. Jemi më mirë se sezoni i kaluar për gola për momentin. Në futboll kështu është nuk shënojnë të gjithë, shpresoj që edhe lojtarët e tjerë të jenë vendimtarë po aq sa Xhixha.
Me Laçin e kishim parashikuar si një ndeshje të fortë. Disa situata mund edhe t’i zgjidhnim edhe më mirë sepse mund të merrnim edhe më shumë pikë nga ajo përballje. Me Laçin vinim pas një ndeshje derbi të fituar, entuziazmi ishte shumë i madh gjë që na bëri të humbisnim përqendrimin. Tani të shohim përpara që të korrigjojmë gabimet.
Nga skuadra e vjetshme na janë larguar disa lojtarë si kapiteni Hoxhallari, dhe largimi i tij na ka lënë një boshllëk, si nga organizimi, por edhe nga faza e mbrojtjes sepse nuk ishte vetëm lojtar, ishte dhe kapiten skuadre. Në atë pozicion kanë luajtur dy lojtarë të tjerë për shkak të dëmtimit të Najdovskit, ata janë ndëshkuar me karton të kuq duke pasur fatin e tyre të keq. Shpresoj që të konsolidohemi, kemi qenë mirë përveç ndeshjes ndaj Laçit”, deklaroi Shehi.