Shehi: Luftëtari njëlloj si Partizani, i druhem dëmtimeve pas rikthimit
Kategori Superiore pas thuajse tri muajsh, do të rikthehet nëse në fushën e lojës. Kukësi do të kërkojë mbajë gjallë shpresat për titullin, teksa e pret një ndeshje aspak e thjeshtë ndaj Luftëtarit. Në prag të kësaj sfide, trajneri i verilindorëve, Orges Shehi është shprehur se do të luhet vetëm për fitore, pasi 3 pikët janë të rëndësishme njësoj si në ndeshjen me Luftëtarin ashtu edhe me Partizanin.
“Pas një periudhe shumë të gjatë për shkak të asaj që ndodhi, ne jemi shumë të kënaqur që rikthehemi në fushë. Jemi përgatitur me aq mundësi sa kemi pasur, në mënyrë që të jemi gati për kampionatin. Për shkak të periudhës së gjatë të pezullimit, më shumë i frikësohem dëmtimeve dhe shpresoj që të mos kemi probleme në këtë drejtim.
Ndeshja me Luftëtarin? Në pozicionin ku jemi, çdo ekip ka rëndësinë e vetë, 3 pikët janë njësoj si me Partizanin dhe Luftëtarin dhe do të luajmë për fitore.
Ne u grumbulluam në Elbasan duke ditur për kushtet e mira që janë këtu dhe rëndësinë që i dhamë kësaj faze, në mënyrë që skuadra të qëndrojë bashkë dhe për tu përgatitur sa më mirë për kampionatin, na ka shërbyer shumë. Jam i kënaqur për mënyrën se si janë stërvitur çunat me një seriozitet maksimal. Me ne është bashkuar edhe Limaj, i cili nuk mund të jetë 100%, por grupi është i plotë”, u shpreh Shehi.