Shehi: Nuk jemi ende në 100%, Bylisi një rival i vështirë!
Pas fitores kundër Vllaznisë, Tirana kërkon vijimin e rezultateve pozitive edhe në sfidën e radhës kundër Bylisit në “Selman Stermasi” Para kësaj sfide në konferencë për shtyp foli trajneri i Tiranës, Orges Shehi, i cili foli për ballshiotët dhe çështje të tjera të bardhebluve.
“Personalisht jam i mendimit që nuk ka kundërshtar të lehtë, sidomos në këtë fazë të Kategorisë Superiore, kur skuadrat janë me objektiva të qarta. Nuk është ndeshje e lehtë, është një ndeshje që do vlerësim maksimal. Skuadra akoma nuk është në 100%, kemi mungesa. Najdovski akoma nuk është bashkuar me skuadrën, po ashtu dhe Danso për arsye shëndetësore, që dihen tashmë. Kemi dhe pak probleme me Torassan dhe Cale sepse nga ana fizike nuk janë në 100%. Por, lojtarët që u futën në fushë ndaj Vllaznisë, mendoj se e përligjën besimin dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm. Po luajmë përpara një kundërshtari që s’kemi fituar asnjë ndeshje dhe do të bëjmë ç’është e mundur që ta fitojmë ndeshjen.
Kundërshtar që këto javët e fundit po bën mirë, çka ja vështirëson manovrën ekipit dhe mënyrën si do të luajë. Bëhet e vështirë ndaj një kundërshtari të tillë. Shpresoj të jetë në gjendje të mirë që edhe skuadra të shprehet mirë. Seferi? Për mendimin tim, ja kam thënë dhe atij, është një nga lojtarët tanë kryesor. Jo më kot u zgjodh lojtari i ndeshjes me Vllazninë, për atë që i dha skuadrës. Sigurisht që sulmuesi edhe raste do të humbi, por kur prodhon shumë dhe mban mbrojtjen gjithmonë në tension dhe kur shërben, unë besoj se ka bërë mirë”, deklaroi Shehi.