Shehi: Respekt për Skënderbeun, por i kam sfiduar edhe kur isha te Kukësi!

Orges Shehi e nisi me një fitore aventurën në krye të Tiranës në Fier me një fitore minimale, por sfida e rashës do të jetë e veçantë për të. Kalendari i javës së 18-të të Superiores e vendos kundër së shkuarës së tij të ndritur, Skënderbeut, e cila gjendet në një situatë të vështirë në fundin e renditjes. Shehi në deklaratën për mediat është shprehur se ka respekt për ta, por do të futen në fushë për fitore.

“Në Superiore nuk ka ekipe të lehta. Ajo që duket e lehtë në letër bëhet e vështirë në fushë. Duhet përqendrim dhe impenjim maksimal. Do ta respektojmë Skënderbeun për emrin që ka. Pozita e trajnerit na bën që të ndryshojmë ekip, edhe ne që jemi profesionistë. U përballa vjet me Skënderbeun, kur isha te Kukësi. Duhet të lëmë çdo gjë mënjanë, sepse jemi profesionistë.

Mungesat? Gjendja nuk është më e mira e mundshme. Disa vijnë dhe nga dëmtimet. Me stafin duam të mos i rëndojmë dhe dëmtojmë, por t’u japim minutazhin e duhur. T’i menaxhojmë më mirë që t’i kemi të gatshëm. Koha është e shkurtër. Mendoj se skuadra po përgjigjet, të paktën në stërvitje. Në javën e pare, edhe pse koha është e shkurtër, kemi bërë mirë. Duhet të kthejmë besimin te vetja. Jemi kampionët në fuqi dhe duhet të sillemi si të tillë. Të jemi të ekuilibruar në të dyja fazat. Shpresojmë të përmirësohemi në javët në vazhdim.

Kriza e golit? Unë jam trajneri i ekipit që prej një jave. Statistikat nuk i kam vënë re. E rëndësishme është që s’kemi pësuar gol në ndeshjen e parë. Kemi shënuar një gol, të rëndësishme ishin 3 pikët. Sidoqoftë, unë jam për lojë ofensive, ashtu siç i shkon përshtat Tiranës”, deklaroi Shehi.

SHKARKO APP