Shehi: Të mos mendojmë për festën, bukur të festojmë përballë kampionëve në fuqi
Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, në prag të ndeshjes me Teutën ka dalë para mediave duke u shprehur optimist se skuadra e tij do ta hipotekojë titullin kampion ndaj fituesve të sezonit të fundit.
“Duhet të futemi nesër në fushë për të shkuar te fitorja. Nuk duhet të ngarkohemi shumë nga ana emocionale, të mendojmë për gjëra të tjera pas ndeshjes. Të fokusohemi te 90 minutëshi. Luajmë ndaj një kundërshtari që po bën mirë javët e fundit dhe i gjithë përqendrimi duhet të jetë aty dhe jo te ajo çfarë ndodh pas ndeshjes.
Sigurisht që vështirësi ka për ta motivuar ekipin. Ka qenë një periudhë, që pas një kampionati të mirë që kanë bërë të gjithë lojtarët, shumë lojtarë kanë oferta. Kjo i pështjellon pak ata. E kam thënë edhe më parë që edhe distanca e pikëve e ul përqendrimin. Nuk jemi aty ku duhet sa i përket grintës dhe dëshirës, por shpresoj që nesër duhet të na rikthehet kjo, të kemi uri nesër, pasi për herë të parë kemi pësuar dy humbje radhazi.
Kur sjell një pështjellim, humbet edhe përqendrimi. Kur ndodh kjo është e vështirë që në momente të caktuara të kesh vlerësimin e duhur të situatave. I kam kërkuar skuadrës, që pas humbjes me Laçin, të mos mendojë për asgjë tjetër, të mos ketë asnjë lloj shpërqendrimi, por vlerësim maksimal te sfida e nesërme. Është një ndeshje e rëndësishme për t’u kthyer aty ku duhet.
Kampion ndaj kampionëve të vjetshëm? Është një moment që e bën emocionues dhe shpresojmë të kemi fat. Është diçka e bukur nëse e sigurojmë titullin përballë skuadrës kampione.
E ardhmja? Nuk mendoj se duhet të fokusohemi te kjo. E thashë edhe më parë, kjo periudhë, kjo distancë e pikëve, shpërqendrimi, ndoshta edhe duke menduar për të ardhmen kur akoma nuk ka përfunduar e tashmja, na ka bërë që të ulim marshin dhe ritmin. Kur them për skuadrën që nuk duhet të mendojë gjëra të tjera, brenda saj jam edhe unë, pasi jam i pari i skuadrës që duhet të jem i fokusuar dhe ta përcjell te pjesa tjetër”, deklaroi Shehi.
KOHA JONË SONDAZH

