Shehi: Vllaznia rival për titull, të luajmë si ndaj Partizanit
Pas fitores së madhe në derbi, Tirana do të jetë i impenjuar në kampionat në një tjetër klasike të veçantë kundër Vllaznisë. Dueli do të luhet në nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, në orën 16:45. Trajneri Orges Shehi ka kërkuar nga futbollistët e tij që të luajnë me të njëjtën impenjim si ndaj Partizanit.
“Vijmë pas një fitoreje në derbi. Është një ndjesi pozitive, por do të fokusohemi te ndeshja e nesërme, ku na pret një kundërshtar i fortë dhe rival për titullin. Është klasikja e futbollit shqiptar. Përballen dy skuadra cilësore që synojnë titullin.
Najdovski? Është lojtar i rëndësishëm, por do të bëjmë edhe pa të. Ata që do luajnë do të bëjnë maksimumin, që të mos ndihet mungesa. Jemi skuadër që nuk varemi nga një individ. Gëzimi është i pranishëm, por nuk duhet të jemi euforikë. Kemi patur pak ditë për tu përgatitur për ndeshjen, por nuk jemi euforikë. Është vetëm fillimi i kampionatit. Është një ndeshje e fortë. Ata kanë një skuadër shumë të mirë. Vjet rivalizuan për titull, edhe këtë vit synojnë majat.
Statistikat? Vlejnë për të shkuarën, por futbolli është e tashmja. Do të bëjmë maksimumin, që të qeshim pas ndeshjes. Duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, duhet të përmirësohemi ndeshje pas ndeshjeje. Është shumë shpejt për të folur për të qenë lokomotiva e kampionatit.
Dua që skuadra të luajë si në derbi, nuk jemi perfektë. Të gjithë gabojmë, unë i pari. Por duhet të futemi me atë impenjim, detajet e vendosin ndeshjen e madhe. Janë 7 skuadra pretendente, çdo javë do të ketë rivalë të drejtpërdrejtë. Duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës, të tjerat i mendojmë më vonë”, deklaroi Orges Shehi.
KOHA JONË SONDAZH

