“Shembull si lojtar dhe njeri”, Grasshoppers rinovon kontratën me Abrashin
Amir Abrashi do të vijojë karrierën me klubin e Grasshoppers përtej vitit 2024. Zviceranët njoftuan se kanë rinovuar kontratën deri në verën e vitit 2025 me futbollistin e kombëtares teksa e cilësojnë si një element tejet të rëndësishëm për skuadrën, aq më tepër kur në këtë sezon, mesfushori ka gjetur vazhdimësinë dhe ka lënë pas problemet fizike.
Në fjalët e para pas rinovimit të kontratës, 33-vjeçari është shprehur mjaft i lumtur: “Për mua nuk ka skuadër tjetër, këtu te Grasshopers kam mësuar, kam fituar shumë eksperiencë dhe jam zhvilluar shumë”.
Ndër të tjera, edhe drejtori sportiv i zviceranëve, Bernt Haas nuk e fshehu entuziazmin për rinovimin me kapitenin e skuadrës.
“Abrashi e ka vërtetuar në fushë se këtë sezon ka qenë një lojtar vendimtar për skuadrën. Një faktor shumë i rëndësishëm edhe për integrimin e lojtarëve të rinj që janë afruar.
Sigurisht, të gjithë e vlerësojmë edhe për grintën që shfaq në fushë, ka një pasion si askush tjetër. Abrashi është model, jo vetëm si futbollist, por edhe si njeri. Një kapiten shumë profesionist. Jemi krenar që e kemi pjesë të skuadrës”, u shpreh Haas.