Shënoi golin e 100-të, Mbappe lë pas dy “jashtëtokësorët” Messi e Ronaldo
Kylian Mbappe është cilësuar si trashëgimtari i dy yjeve të futbollit që po dominojnë futbollin botëror, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo. Sulmuesi francez këtë mesjavë u bë protagonist duke shënuar golin e 100 në karrierë me klubet.
Karriera e tij ka pasur një rritje shumë të shpejt, teksa që në sezonin e parë te Monaco arriti që të realizonte 27 gola. Më pas erdhi transferimi i Paris Saint-Germain, ndërkohë që ka realizuar deri më tani plotë 73 gola me fanellën parisiene. Këto janë shifrat e frikshme të Mbappe, i cili duket se do të dominojë lojën e futbollit në dekadën tjetër.
Në moshën e tij as Messi dhe as Ronaldo nuk i kishin arritur 100 gola. Argjentinasi kishte realizuar 27 gola në 3 sezone me ekipin e parë të Barcelonës, ndërkohë që portugezi ishte në vitin e dytë në “Old Trafford”.
Messi shënoi golin e 100-të në karrierë më 16 janar 2010 ndaj Sevillas, kur ishte 22 vjeç e 6 muaj, ndërkohë që Ronaldo e arriti këtë shifër më 27 janar 2008, kur ishte 22 vjeç e 11 muaj. /R.Lika-Koha Jone/