Shënoi nga goditja e këndit, Asllani e pranon: Isha me fat në atë rast!
Kristjan Asllani dhuroi pak nga magjia e tij mbrëmjen e djeshme, teksa përballë Udineses, në Kupën e Italisë realizoi një gol spektakolar. Në fundin e pjesës së parë, Asllani ekzekutoi një goditje këndi perfekte, ku topi i hedhur në zonë nuk u devijua nga askush duke përfunduar drejtpërdrejtë në rrjetë.
Ky ishte një gol shumë i rëndësishëm për Asllanin, që do e ndihmojë ndoshta që të fitojë më shumë hapësira në sezonin në vijim. Në përfundim të ndeshjes, Asllani u tregua realist dhe shumë i kënaqur për këtë gol fantastik.
“Nuk më kishte ndodhur kurrë të shënoja një gol olimpik, isha dhe me fat. Ajo që kishte rëndësi ishte të fitonim, jemi të lumtur pasi po i japim vazhdimësi rezultateve.
Kemi një grup fantastik, ka një kimi të madhe mes nesh në dhomat e zhveshjes, dalim shpesh së bashku, kjo është thelbësore për të arritur rezultatet. Dua të falënderoj edhe Arnautovic për mbështetjen, është një nga ato persona që i ndihmon shumë të rinjtë, është thelbësor për grupin”, u shpreh Asllani.