“Sherr” titulli mes Osmanit, Nexhipit dhe Smajlit, Tirana e “ndjek në heshtje”

Kukësi, Tirana, Partizani, apo Skënderbeu? Rivaliteti në Kategorinë Superiore, mes ekipeve pretendente për titull, është futur në një fazë interesante. Kukësi kryeson aktualisht me 44 pikë, dhe kur mbeten edhe 16 javë deri në mbyllje të garës, verilindorët e drejtuar nga Artim Shaqiri kanë shtuar besimin se pas dy sezoneve kur u rënditën të dytët, ka ardhur momenti historik për të ngritur trofeun eparë kampion. Por për fatin e tyre, duhet të fitojë këtë vit një rivalitet edhe më të fortë. Kukësi fitoi ndaj Elbasaniut 3-0 në ndeshjen e fundit dhe ndiqen nga Tirana. Kjo e fundit fitoi në Elbasan 1-0 ndaj Flamurtarit dhe ka 3 pikë më pak. Në kuotën e 40 pikëve janë Partizani që fitoi në Fier 2-0 dhe Skënderbeu që barazoi pa gola me Laçin në fushën e tij. Këtë javë, Partizani pret Skënderbeun në Tiranë, por për kampionët në fuqi, që kanë fituar katër tituj kampionë radhazi, nuk e vënë fare në diskutim, që në fund të garës do të jenë ata triumfues. Mbrojtësi i Skënderbeut, Tefik Osmani, deklaron se këtë sezon mediat dhe kundërshtarët, si për çudi, janë bashkuar dhe  po sulmojnë ekipin juglindor, pasi e kanë zili mbi sukseset e arritura, por ai thotë se “titulli me 80 për qind, do të jetë sërish në Korçë dhe tre ekipet e tjera, kanë 20 për qind shanse që të fitojnë këtë trofe.” Por kjo deklaratë e tij nuk është marrë parasysh nga Nderim Nexhipi i Partizanit. – “Kemi një ekip pretendent për titull. Ne jemi në rrugë të mbarë dhe besoj se do të triumfojmë në fund. Nuk e shoh Kukësin rival, por mendoj se do të garojmë me Tiranën dhe Skënderbeun,” – shprehet Nexhipi. Kosovari i të kuqve, përjashton kësisoj automatikisht kryesuesit e momentit, çka do të thotë se fitorja në përballjen e radhës me Skënderbeun i jep shanse të mëdha skuadrës së tij për të fituar titullin kampion. Por Kukësi i ka fituar dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe kryeson me meritë deri tani, prandaj mbrojtësi lezhjan  Dritan Smajli i kundërpërgjigjet Nexhipit, në këtë formë:  – “Kukësi është shkëputur tre pikë nga vendi i dytë dhe kjo diferencë nuk është pak. Ne shohim si rivalë për titull Skënderbeun dhe Tiranën, por jo Partizanin.” Sakaq, Tefik Osmani ka kontestuar gjykimin e ndeshjes së fundit me Laçin, teksa dukej nga pamjet filmike që gjyqtari e dha golin e shënuar nga Fatjon Sefa, por e anuloi pak momente më pas. Edhe dy 11-metërsha të pretenduar nga Skënderbeu nuk janë dhënë në favor të korçarëve, të cilët e shohin veten disi të penalizuar pas kësaj jave. Megjithatë, Tefik Osmani e mbyll mendimin e tij, duke iu kujtuar rivalëve, se “edhe pse po na sulmojnë dhe nuk duan që titullin ta marrë sërish Skënderbeu, do të na shihni në fund kush jemi!”. Gjithsesi, Tirana është një tjetër skuadër tjetër favorite për titull. Kryeqytetasit, 24-herë kampionët, kanë ndërtuar një ekip të fortë dhe duket se po ndjekin një strategji për të heshtur, derisa të arrihet suksesi i munguar. Tirana me eksperiencën e saj ka treguar në fund se mbetet një “kockë e fortë”, prandaj edhe dhe beteja në pjesën e mbetur të kampionatit po bëhet gjithnjë e më interesante, mes katër skuadrave që janë rreshtuar në garë për të ngritur trofeun sportiv, më të rëndësishëm në Shqipëri.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?