”Sherri” i Xhakës me tifozët, trajneri: Të kërkojë falje

Ylli kosovar Granit Xhaka refuzon t’u kërkojë falje tifozëve të Arsenalit pas fjalëve që përdori ndaj tyre. Kapiteni i “Topçinjve” u largua i dëshpëruar pasi u vërshëllye të dielën. Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, po pret që mesfushori të kërkojë falje.

”Në mendjen e tij ai nuk është gati ta bëjë këtë, sepse është shkatërruar brenda. Ai është shumë i mërzitur. Granit e di se ai gaboi dhe kur bëjmë gabime duhet të kërkojmë falje. Ai mendon se përkrahësit nuk e pëlqejnë atë, kështu që tashti ai duhet ta ndiejë dashurinë për familjen e tij, miqtë e tij dhe të gjithë të tjerët. Për momentin ai nuk po ndihet me përkrahësit”.

Mbështetësit e skuadrës londineze kërkojnë që mesfushorit me origjinë shqiptare t’i hiqet shiriti i kapitenit pas sjelljes së futbollistit në momentin e zëvendësimit gjatë ndeshjes së fundit kundër Crystal Palace të mbyllur në barazim 2-2. Xhaka nuk i priti mirë kritikat dhe sharjet që vinin nga tribunat, duke reaguar ashpër.

Në fillim ai nxiti tifozët të ngrenë më shumë zërin, ndërsa kamerat e kapën gjithashtu duke sharë. Sapo u zëvendësua, mesfushori iu drejtua menjëherë dhomave të zhveshjes dhe në mënyrë demonstrative hoqi fanelën e Arsenalit. Të gjitha këto e kanë vendosur në shënjestër të tifozëve që kërkojnë që ai të dorëzojë shiritin e kapitenit.

SHKARKO APP