Sherri masiv ndaj Bylis, Laçi pezullon “boksierin” Nwabueze

Skuadra e Laçit ka reaguar për dhunën masive në ndeshjen ndaj Bylis, në pritje të vendimi të Komisionit të Disiplinës. Bardhezinjtë njoftuan pezullimin e bomberit të skuadrës, Kyrian Nwabueze.

Sulmuesi ishte nxitësi i dhunës, duke goditur në mënyrë antisportive kundërshtarin, ndërsa pas kartonit të kuq për gjestin, i dha një shuplakë rivalit të shtrirë në fushë, veprime që u shoqëruan me sherr masiv. Për gjestet e bëra, Laçi vendosi ta pezullojë sulmuesin amerikan, duke paralajmëruar edhe masa të tjera disiplinore.

“Sherri i djeshëm në sfidën me Bylisin dënohet nga klubi ynë, sikurse edhe sjellja e futbollistit tonë. Pavarësisht arsyeve, nga ne nuk mund të pranohen veprime të tilla të dënueshme. Nisur nga gjithë situata e krijuar, Nwabueze do të jetë i pezulluar për momentin dhe ndaj tij do të merren edhe masa të tjera në një vendim të dytë. Dhuna në futboll nuk ka vend dhe ne si klub mbështesim futbollin e bukur dhe fair-play”, shkruhet në reagimin e kurbinasve.

SHKARKO APP