Sherri në Ballsh, Disiplina dënon njëlloj Nwabuezen dhe Carkanjin
Sherri në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, teksa luhej ndeshja mes Bylisit vendas dhe Laçit, ka rikthyer edhe njëherë episodet e turpshme të dhunës në Kategorinë Superiore. Sulmuesi i kurbinasve, Kyrian Nwabueze, ishte protagonist i atij sherri të paprecedentë, pasi shkoi e goditi kundërshtarin e tij të shtrirë në tokë dhe më pas u përlesh me grushte me disa prej lojtarëve ballshiotë e ndihmës-trajnerin, Bekim Kuli.
Pikërisht kjo ngjarje ishte në fokusin e mbledhjes së Komisionit të Disiplinës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, e cila analizoi me vëmendje gjithçka ndodhi në “Adush Muça” dhe mori masa të ashpra, duke e pezulluar sulmuesin e kurbinasve 10 ndeshje. E njëjta masë edhe për Carkanjin e Bylisit, ndërsa zyrtari i klubit ballshiot, Ermal Hasimaj, pezullohet 9 ndeshje.
Vendimet e Disiplinës
- Lojtari i KF Laçi, Nwabueze Kyrian Chinazorm, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Lojtari i KF Bylis, Xhoi Carkanji, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/1/e të KDS, dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Zyrtari i KF Bylis, Ermal Hasimaj, për sulm ndaj kundërshtarëve, në bazë të nenit 47/2/b të KDS, dënohet me 9 (nëntë) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
- Shkëndija C.T U-19, për dështim në zhvillimin e ndeshjes së vlefshme për Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Parë U-19 Grupi A, kundër KS Korabi, në bazë të nenit 30.1 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0.
- Çeljen e hetimit disiplinor për ndeshjen e Kampionatit të Kategorisë së Dytë midis F.C Bulqiza dhe FK Tërbuni. Urdhërohet Sektori i Garave pranë FSHF për kryerjen e verifikimeve të nevojshme.
- Rrëzimin e kërkesës së KF Sopoti, në lidhje me lojtarin Orgest Tanushi, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës Sportive.
KOHA JONË SONDAZH

