Shevchenko: Mjekët dhe infermierët janë heronjtë e epokës sonë!

“Jam në Londër, prej gati 10 ditësh jemi mbyllur në shtëpi. Po jetojmë një moment të vështirë, me shpresën se gjërat do të përmirësohen dhe e vetmja zgjidhje për ta bërë atë është të qëndrojmë në shtëpi dhe t’i japim mundësinë mjekëve të bëjnë punën e tyre. Mjekët dhe infermierët po bëjnë një punë të shkëlqyer, ata janë heronjtë e kohës sonë”, kështu është shprehur Andriy Shevchenko në një video-intervistë për Sky Sport.

Ish-futbollisti i Milanit dhe Chelsea-t, ani në krye të kombëtares së Ukrainës, e di mjaft mirë se çdo të thotë të jetosh i mbyllur në shtëpi dhe në rrethana të vështira.

“Kam jetuar një moment shumë të ngjashëm, kur isha 9 vjeç teksa shpërtheu centrali i Çernobilit dhe ishte shumë situatë e rëndë. E përsëris, mundësia e vetme është të ndjekim kufizimet pa bërë marrëzi, nuk e dimë nëse jemi pozitivë apo jo, nëse mund të infektohemi nga njerëz asimptomatikë, duhet të mendojmë për veten dhe njerëzit që mund të infektojmë”, deklaroi Shevchenko. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP