Shiu shtyn rifillimin e Kategorisë së Parë dhe të Dytë
Federata Shqiptare e Futbollit, këtë të hënë përmes një njoftimi për mediat, bën me dije se rifillimi i aktivitetit të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë do të shtyhet sërish.
Zyra e shtypit në FSHF, thekson se vendimi është marrë për shkak të reshjeve të shiut, që parashikohen në fundjavë e që mund të krijojnë problematika të mëdha në infrastrukturën e shumë skuadrave.
Në këto kushte, Sektori i Garave në FSHF ka planifikuar që rifillimi i ndeshjeve në të dyja kategoritë të ndodhë fundjavën pasardhëse, më konkretisht, 6 shkurt 2021. Lidhur me këtë ndryshim të kalendarit janë njoftuar edhe klubet e Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë.