Shkëlqen Partizani, barazim spektakolar mes Kukësit e Tiranës
Të paktën për 24 orë, Partizani është ekipi kryesues i Kategorisë Superiore. Të kuqtë shkëlqyen në “Air Albania” teksa përmbysën Kastriotin me fitoren 3-1 dhe tashmë presin të qetë ndeshjet e Teutës, Vllaznisë dhe Laçit.
Ishte Daci që fillimisht i futi frikën skuadrës së Dajës me një gol në minutën e 4’ për miqtë ndërsa Hakaj vuri barazpeshën në minutën e 31’ dhe për të ardhur te pjesa e dytë ku Partizani ishte dominues në çdo aspekt dhe shënoi edhe 2 herë me Junior në 75’ dhe Asanin në 85. Me këtë sukses, Partizani merr kryesimin me 50 pikë duke lënë pas Teutën me 49 dhe Vllazninë me 47 pikë.
Ndërkohë në “Elbasan Arena” Kukësi dhe Tirana dhanë spektakël me një barazim 2-2 që në fakt nuk I bën punë asnjë ekipi për objektivat e tyre. Ishte Kukësi që kaloi menjëherë në avantazh në 24’ me Eze teksa verilindorët paten disa raste të tjera të pastra por që në pjesën e dytë u përballën me një reagim të fortë të Tiranës që gjeti golin e barazimit me Seferin (goli i 4 sezonal për të) ndërsa në 84 përmbysën ndeshjen me Cale. Kur u duk se gjithçka mbaroi, vjen edhe perla e Ibraimit nga një goditje dënimi me të majtën që ngrin bardheblutë. Përfundon pa fitues ky duel që në fakt duhet të kishte një fitues për spektaklin që dhanë në fushë.