Shkëmbi: Kënaqemi edhe me një pikë ndaj Laçit!
Dinamo do të ketë një duel shumë të vështirë ndaj Laçit të premten, në duelin e vlefshëm për javën e 11 të Kategorisë Superiore. Trajneri i bluve, Bledi Shkëmbi, duke parë mungesat në ekipin që drejton dhe një përballje transferte, nuk e hedh poshtë një pikë ndaj Laçit, pavarësisht se Dinamo do të luajë për fitore.
“Në fazën e parë na mori Laçi një pikë në minutën e fundit. Do të shkojmë për të zhvilluar një ndeshje perfekte në fushën e Laçit, për të marrë fitoren. Ndoshta në fund të ndeshjes mund të jemi të kënaqur me barazimin, por kurrsesi nuk shkojmë për një pikë.
Duhet parë në fund se çfarë ke dhënë dhe sa ke merituar. Nuk na tremb Laçi, sepse kemi luajtur dhe nuk na ka mundur. Nuk na ka mundur as Partizani, as Teuta. Shpresojmë që javën tjetër ta na kthehet ndonjë nga lojtarët e dëmtuar, sepse do të luajmë çdo tri ditë.
Vijmë pas një fitoreje të vështirë më Kastriotin. E kam thënë që na duhen pikë për t’u ngritur, sidomos në aspektin psikologjik. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme përballë një prej skuadrave më të mira të kampionatit.
Objektivat? Është kampionat shumë i vështirë. Kam besim se do të luftojmë për zonën sipër. Në momentin që do të na bashkohen të gjithë lojtarët, jam i bindur që do të jemi më të fortë. Java që vjen do të jetë vendimtare për të ardhmen tonë”, u shpreh Bledi Shkëmbi.
KOHA JONË SONDAZH

