Shkëndija, rikthehet sulmuesi Samir Fazli
Shkëndija e Tetovës nuk po gjen qetësi dhe ka ndërruar 3 trajnerë në vetëm pak javë, teksa momentalisht drejtohet nga Ernest Gjoka. Gjatë fundjavës ai u ankua për cilësinë në sulm të skuadrës, ndërsa drejtuesit ndërhynë menjëherë për t’i plotësuar nevojat, duke rikthyer në ekip sulmuesin Samir Fazli. Shkupjani 28-vjeçar ishte pjesë e kuqezinjve edhe në sezonin e fundit, kur ata fituan titullin kampion por në verë nuk u arrit marrëveshja për vijimin e bashkëpunimit.
Sulmuesi shkupjan u shpreh mjaft i lumtur për këtë rikthim dhe pranoi se është gati për t’u përfshirë menjëherë në skemat e Gjokës, pasi nuk ka nevojë për përshtatje. Për më tepër, 28-vjeçari shfaqi optimizëm se Shkëndija mund të mbrojë titullin sërish.
”Jam i lumtur sërish të jem pjesë e Shkëndijës dhe pa marrë parasysh fillimin jo aq pozitiv të sezonit aktual, besoj edhe këtë vit të dalim kampion. Kjo skuadër ka cilësi brenda grupit, nuk do të kem nevojë për adaptim dhe jam i gatshëm të jap gjithçka nga vetja për të ndihmuar ekipin të realizojë objektivat”.