Shkoi në market për të blerë pastë dhëmbësh, pezullohet trajneri gjerman
Heiko Herrlich u ul në stolin e Augsburgut në marsin e këtij viti, por pandemia Covid-19 bëri që debutimi i tij të shtyhej, ndërsa për të drejtuar skuadrën për herë të parë nga pankina, tekniku do të duhet të presë të paktën edhe një javë tjetër.
Një gabim në respektimin e protokollit të sigurisë dhe rregullave të karantinës, ka bërë që t’i hiqet e drejta për të drejtuar skuadrën për një javë. Tekniku theu rregullat duke dalë nga hoteli ku skuadra po qëndron në grumbullim dhe duke shkuar në një super market për të blerë pastë dhëmbësh dhe krem flokësh, ndërsa menjëherë pas kthimit është pezulluar përkohësisht nga drejtimi i skuadrës dhe është futur në karantinë.
Klubi i Augsburgut ka bërë të ditur lajmin në rrjetet sociale dhe ka kërkuar ndjesë për sjelljen e trajnerit, ndërsa ka zbuluar se Herrlich u është nënshtruar dy herë tamponëve dhe ka rezultuar negativ.