Shoku i ekipit elozhe për Brojën: Krijon shanse nga asgjëja

Armando Broja ka qenë një nga futbollistët më të spikatur këtë sezon në  Premier League. Sulmuesi i Shqipërisë, vetëm 20-vjeçar ka treguar se nuk i frikësohet përgjegjësive teksa është shndërruar në lojtarin kryesor të Southampton. I fundit që ka reaguar mbi Brojën, është shoku i tij i skuadrës dhe ish-lojtari i Barcelonës, Oriol Romeu. Ky i fundit thekson se Broja ia del të krijojë shanse edhe nga hiçi.

“Edhe unë e kam pasur të vështirë kur kam qenë i huazuar, por Armando po bën shumë mirë dhe është kthyer në një titullar të skuadrës. Kur shkon në një klub të ri të duhen dy apo tre muaj për t’u adaptuar, por tashmë Broja është shndërruar në një kërcënim dhe është një lojtar që na duhet shumë.

Ia del të krijojë raste edhe nga hiçi, kjo është e mrekullueshme. Na ka ndihmuar dhe na ka dhuruar disa pikë, sidomos në këto muajt e fundit. E ardhmja e Brojës? Ndonjëherë është mirë kur ke pak stabilitet dhe nuk ndryshon skuadër vit pas viti. Mendoj se për të do të ishte shumë mirë të qëndronte te një skuadër për dy sezone me radhë sepse kur lëviz shpesh bëhet e vështirë të jesh pjesë e një skuadre.

Huazimet janë të mira dhe të japin shansin të tregosh veten dhe të marrësh minuta, por duhet të sigurohesh se nuk bëhet fjalë për diçka tremujore duke qenë se kjo nuk e ndihmon një futbollist të jetë në më të mirën e tij”, deklaroi Romeu për Brojën.

SHKARKO APP