Short “ferri” për Realin dhe Liverpoolin, Juve dhe Mourinho me fat
Në Nyon të Zvicrës u hodh shorti i fazës së 1/8-ave të Champions League, që përcaktoi 8 çiftet e këtij raundi. Ashtu siç edhe pritej nuk kanë munguar ndeshjet e mëdha që në këtë raund. Padyshim dueli më interesant do të jetë ai mes Real Madrid-Manchester City, një finale e parakohshme që vë përballë rekordmenët e Europës me skuadrën e drejtuar nga Pep Guardiola. Trajneri spanjoll do të rikthehet në vendin e lindjes për t’i hapur punë madrilenëve, ndërkohë që shpreson të bëjë të njëjtën gjë si kur ishte pjesë e Barcelonës.
Një tjetër ndeshje shumë interesante është Borussia Dortmund-PSG, me trajnerin gjerman Thomas Tuchel që vihet përballë ish skuadrës së tij. Liverpooli, fituesi në fuqi i trofeut nuk do ta ketë aspak të thjeshtë, pasi është shortuar përballë Atletico Madrid. Edhe pse diferencat mes ekipeve janë të dukshme këtë sezon, sërish, nuk mund t’i zihet besë askujt në këtë fazë. Mbrojtja e Los Colchoneros është një problem më vete dhe këtë gjë e ka treguar shpesh herë në vitet e fundit. Goglat kanë qenë disi bujare me skuadrat italiane.
Juventusi është shortuar me skuadrën më të thjeshtë të mundshme në këtë fazë, Lyon-n. Bardhezinjtë kanë një ecuri shumë pozitive ndaj skuadrës franceze, duke numëruar 3 fitore dhe një barazim në 4 ndeshje mes tyre. Atalantës goglat i rezervuan si kundërshtare Valencian, që do të thotë se bergamaskët mund të ëndërrojnë për të prekur çerekfinalet. Një ndeshje krejtësisht e barabartë, ku do të jetë e vështirë për të përcaktuar se cila prej tyre do të kalojë në turin tjetër.
Napoli ndërkohë nuk ka pasur aspak fat, pasi është shortuar me Barcelonën. Në letër duket një ndeshje shumë e thjeshtë për blaugranët, por skuadra italiane ka një ekip për t’u mos t’u nënvlerësuar. Bayern Munich, skuadra më e mirë e fazës së grupeve do të përballet me Chelsea-n, në një duel që premton emocione, edhe pse gjermanët janë dukshëm të favorizuar në këtë ndeshje. Ndeshjet e para do të zhvillohen në datat 18-19, 25-26 shkurt, ndërsa të kthimit në datat 10-11 dhe 17-18 mars. /R.Lika-Koha Jone/
Tabela e ndeshjeve
Lyon-Juventus (sfida e parë 26 shkurt-dueli i kthimit17 mars)
Napoli-Barcelona (sfida e parë 25 shkurt-dueli i kthimit18 mars)
Atalanta-Valencia (sfida e parë 19 shkurt-dueli i kthimit10 mars)
Borussia Dortmund-Psg (sfida e parë 18 shkurt-dueli i kthimit11 mars)
Real Madrid-Manchester City (sfida e parë 26 shkurt-dueli i kthimit17 mars)
Atletico Madrid-Liverpool (sfida e parë 18 shkurt-dueli i kthimit11 mars)
Chelsea-Bayern Munich (sfida e parë 25 shkurt-dueli i kthimit18 mars)
Tottenham-Leipzing (sfida e parë 19 shkurt-dueli i kthimit10 mars)