Shpërthen Briken Calja: Me jepni shpërblimet për medaljet e arta!
Briken Calja, ka akuzuar ashpër nëpërmjet një reagimi në rrjetet sociale institucionet shqiptare, që vazhdojnë ta zvarritin në të drejtën e tij për të përfituar shpërblimin financiar, dhe jo vetëm, për medaljet e arta që ka fituar në kompeticionet e rëndësishme ndërkombëtare. Calje i ka bërë thirrje kryeministrit dhe ministres së linjës, që të zbatojnë atë që kanë vendosur vetë.
Reagimi i i Briken Caljes:
“I ZHGËNJYER DHE I ZEMËRUAR POR, KRYELARTË
Përgjatë dy viteve të fundit kemi arritur rezultate historike për sportin shqiptar dhe për peshëngritjen në veçanti!
Por, në Shqipëri, këto triumfe historike të hidhen në kosh sa hap e mbyll sytë. Marrim një shembull konkret: Në Bullgari kundërshtarit tim në peshën 73 kg, Andreev Bozhidar, pas 21 ditëve, kohë e cila është normale për sa i përket pritjes që i bëhen analizave anti-doping, ministri përkatës i sporteve i bën pritje zyrtare dhe i siguron mbështetje të mëtejshme institucionale, financiare dhe morale për garat e ardhshme.
Ndërsa në një univers paralel, Briken Calja në Shqipëri, fitues i 4 medaljeve të arta e 2 të argjendta Evropiane dhe një bronzi Botërore, ende nuk është shpërblyer për të gjitha medaljet që i takojnë dhe është në pritje akoma pas 19 muajve për një pritje zyrtare nga ana e institucioneve përkatëse. Ky është skandal dhe qesharake njëkohësisht.
Meqë ra fjala te shpërblimet, po ju informoj e sqaroj që zyrtarët e ministrisë, me anë të disa argumenteve qesharakë nuk zbatojnë dhe hedhin në kosh rregullat e Federatës Botërore të Peshëngritjes dhe V.K.M-në për shpërblimet në sport. Unë po kërkoj zbatimin e një VKM-je, asgjë më shumë, as lëmoshë e asgjë. Për Brikenin flet rezultati dhe jo burokracitë dhe parazitizmat e rëndomta që gjejmë në shoqërinë tonë.
Realisht, ligji i sportit dhe VKM-të përkatëse janë përmirësuar ndjeshëm, por problemi qëndron zbatimi i tyre. Po vuaj padrejtësisht këtë çështje dhe dispozitat ligjore të parashikuara ne V.K.M dhe ligjin shqiptar më japin plotësisht të drejtë të përfitoj shumë herë me tepër se ç’kam përfituar deri më sot. Konkretisht, në 2018, kam marre 3 medalje ari dhe jam shpërblyer vetëm për një të tillë, shto dhe faktin që për shpërblimin e një medaljeje të vetme kam pritur 1 vit të plotë kalendarik, ndërkohë që ligji shqiptar e parashikon për 3 muaj. E njëjta gjë ndodh dhe me medaljet e 2019.
Më kanë kërkuar dokumentacion nga Federata Botërore, e Europës, Komiteti Olimpik dhe Federata Shqiptare. Ua kam dorëzuar të gjitha dokumentet përkatëse dhe Ministria i ka dorëzuar vetë në institucionet përkatëse. Tani nuk dihet se ku qëndron problemi.
Ç’duhet të bëjë më Briken Calja?
Prisni, se ka akoma: Çështje tjetër është dhe punësimi i medalistëve të kampionatit Evropian dhe Botëror. Konkretisht, nga ana ligjore unë përfitoj punësim pranë Ministrisë se Brendshme ose te Mbrojtjes, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse dokumentacionet janë plotësuar të gjitha zyrtarisht.
Se kur do të plotësohen këto gjëra, nuk e di, mbase pas një shekulli?!
Ligji dhe VKM-ja për sportet kanë një vit që kanë hyrë në fletoren zyrtare. Jam i lodhur nga këto burokracira. Kur do të vijë dita kur do të marrim atë që meritojmë pa u bërë pjesë e këtyre dogmave skandaloze të shoqërisë sonë?
Njëkohësisht, nëpërmjet këtij postimi publik i drejtohem Kryeministrit dhe Ministres së Arsimit dhe Sporteve. Jam i gatshëm të bashkëpunoj për t’i dhënë drejtimin e duhur zgjidhjes së kësaj situate. I zhgënjyer, i zemëruar por kryelartë”, deklaroi Calja.