Shpërthen Mourinho: Lojtarët luajnë në mënyrë “sipërfaqësore”
Trajneri i Romës, Jose Mourinho i akuzoi lojtarët e tij për një “qasje sipërfaqësore” në barazimin 1-1 kundër Servete në Europa League. Romelu Lukaku i dha avantazhin italianëve në pjesën e parë, por Chris Bedia barazoi pas pushimit në Gjenevë, duke e lënë Romën në vendin e dytë në grup, dy pikë prapa liderit Slavias së Pragës.
“Duket se disa njerëz, që nuk kanë shumë përvojë europiane, i luajnë këto ndeshje disi sipërfaqësisht. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj. Kam luajtur 150 ndeshje në Champions League që janë shumë më të rëndësishme se kjo dhe motivimi im për këto ndeshje është shumë i lartë.
Janë gjithmonë të njëjtët djem që qëndrojnë të fokusuar për 90 minuta dhe nuk kam nevojë t’i përmend emrat e tyre. Pastaj ka lojtarë që kanë një qasje sipërfaqësore në këtë lloj loje. Unë nuk do të bëj një dramë nga ky vend i dytë. Mendoj se është më shumë një dramë që disa njerëz humbën një mundësi duke luajtur me të njëjtin qëndrim që vazhdojmë të shohim.
Ne kemi një skuadër fantastike, njerëz të mirë, njerëz profesionistë që e duan Romën dhe duan të bëjnë mirë. Kjo ka të bëjë më shumë me ADN-në, me zonën tuaj të rehatisë“, u shpreh trajneri portugez.