Shqipëri-Serbi/ Hysaj: Të mendojmë vetëm për atë që ndodhë në fushë

Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin në prag të sfidës së shumëpritur ndaj Serbisë, që do të luhet më 7 qershor në orën 20:45 në “Arenën Kombëtare” në Tiranë. Ndeshja, e vlefshme për Grupin K të kualifikueseve të Kupës së Botës 2026, mbart përveç rëndësisë sportive edhe një ngarkesë të fortë historike mes dy vendeve.

Nga “Shtëpia e Futbollit” në kryeqytet, Elseid Hysaj, një nga lojtarët më me përvojë të kuqezinjve dhe mbrojtës i Lazios në Serie A, doli përpara mediave për të theksuar rëndësinë e ndarjes së sportit nga politika, si dhe nevojën për qetësi dhe përqendrim në fushën e lojës.

“Serbia është rivali ynë direkt dhe kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për ne. Por marrëdhëniet mes vendeve nuk janë përgjegjësia jonë si futbollistë. Ne duhet të mendojmë vetëm për atë që ndodh në fushë”, deklaroi Hysaj, i cili është i vetmi lojtar nga përballja e famshme në Beograd më 14 tetor 2014 që vazhdon të jetë pjesë e Kombëtares.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai kujtoi përjetimet e asaj nate të tensionuar, duke nënvizuar se ngjarje të tilla nuk duhet të përsëriten. “Ndeshja e vitit 2014 nuk është një imazh i mirë për futbollin. Të shtunën duhet të jemi të qetë dhe të japim maksimumin për të marrë tri pikët që do ta bëjnë krenar gjithë vendin.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Në lidhje me përgatitjen e skuadrës, Hysaj u shpreh optimist: “U riktheva nga një dëmtim dhe tani ndihem shumë mirë. Të gjithë lojtarët janë në formë dhe në stërvitje po japin gjithçka. Do të hyjmë në fushë me zemër dhe shpirt.”

Ai theksoi se trajneri Sylvinho ka kërkuar qetësi dhe vetëbesim për këtë sfidë të madhe: “Trajneri na ka udhëzuar që të mos e marrim ndeshjen me presion. Serbia ka lojtarë të fortë që luajnë në Serie A dhe në Evropë, por edhe ata e dinë që ne mund të fitojmë.”

Në fund, Hysaj theksoi rëndësinë e kësaj ndeshjeje në kontekstin e grupit: “Çdo ndeshje është e rëndësishme, por kjo është direkte. Anglia është shumë e fortë, ndaj kundër Serbisë na duhet fitorja.”

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?