Shqipëria humbet edhe një tjetër mbrojtës para përballjes me Ukrainën
Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën zyrtare stërvitore në stadiumin Estadi Ciutat de València para ndeshjes miqësore me Ukrainën.
Nën drejtimin e trajnerit Silvinjo dhe stafit teknik skuadra ka zhvilluar një seancë të plotë stërvitore, pa shumë ngarkesa fizike të fokusuar më shumë në aspektet taktike të lojës.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Ardian Ismajli nuk është stërvitur sot për shkak të një shqetësimi muskulor në muskujt e kofshës së majtë. Pas konsultave me stafin mjekësor u konkludua se Ismajli nuk mund të rikuperohet për ndeshjen e nesërme dhe humb kështu miqësoren me Ukrainën.
Ndërsa, Jasir Asani ka lënë pas problemet fizike dhe është rikthyer me grupin, duke zhvilluar stërvitje të plotë dhe është gati për sfidën e të martës. Ndeshja miqësore mes Ukrainës dhe Shqipërisë do të zhvillohet më 31 mars, në orën 20:45, në stadiumin Estadi Ciutat de València, në Valencia.
KOHA JONË SONDAZH

