Shqipëria kërkon të thyejë nesër “mallkimin e barazimeve” kundër Letonisë

Kombëtarja e Shqipërisë përgatitet për një tjetër duel të rëndësishëm ndaj Letonisë, një kundërshtar që në dukje nuk i përket elitës së futbollit europian, por që ka ditur gjithmonë të vendosë vështirësi kuqezinjtë. Historia e këtij rivaliteti është unike: pas më shumë se dy dekadash përballjesh, bilanci flet për një seri të pazakontë barazimesh.
Shqipëria dhe Letonia janë takuar gjithsej 6 herë në ndeshje zyrtare, dhe të gjitha kanë përfunduar pa fitues. Ky është një rast mjaft i rrallë në futbollin ndërkombëtar, ku dy skuadra për vite me radhë nuk arrijnë të thyejnë ekuilibrin.
Takimi i fundit mes dy kombëtareve u zhvillua më 10 qershor 2025 në Rigen, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026. Sfida përfundoi në barazim 1–1, duke konfirmuar edhe një herë mallkimin e barazimit. Përfaqësuesja kuqezi dominoi me lojë dhe raste, por nuk arriti të marrë fitoren që do të thyejë më në fund “magjinë” e këtyre dueleve.
Në 6 ndeshjet e luajtura, janë shënuar shumë pak gola, çka tregon përballje të ngurta dhe taktike. Rezultati më i zakonshëm mes tyre ka qenë 1–1. Asnjëherë njëra prej skuadrave nuk ka arritur të shënojë më shumë se 2 gola.
Të martën, Letonia do të zbarkojë në Tiranë për një tjetër ndeshje kualifikuese, ku Shqipëria kërkon më në fund të thyejë këtë “mallkim të barazimeve” dhe të marrë fitoren e parë historike kundër letonezëve. Për trajnerin kuqezi, kjo është një mundësi e artë për të përforcuar pozitat në grup dhe për të konfirmuar ambiciet për një tjetër kualifikim madhor.
KOHA JONË SONDAZH

