Shqipëria mund me vuajtje Bjellorusinë, merr kreun e grupit dhe kalon në Ligën B (VIDEO)

Shqipëria e ka mbyllur me një fitore 3-2 edicionin kundër Bjellorusisë në Ligën e Kombeve, duke siguruar vendin e parë në Grupin 4 të Ligës C me 11 pikë (1 pikë më shumë se Bjellorusia). Ky sukses i kuqezinjve i garanton Kombëtares kalimin për në Ligën B për në edicionin e ardhshëm, si dhe 1.1 milion euro në arkat e FSHF.

Ishte një ndeshje shumë pozitive e skuadrës së drejtuar nga Edy Reja që do të zhbllokonte ndeshjen në minutën e 19-të me Cikalleshin, i cili do te realizonte me kokë. 7 minuta më pas Shqipëria shënoi edhe golin e dytë, sërish me Cikalleshin, që ekzekutoi një 11-metërsh të fituar nga Manaj.

Në minutën e 35-të, Bjellorusia dha sinjale reagimi, teksa do të shënonte me Skavysh, duke përfituar nga një gabim i Ismajlit. Gjithsesi gëzimi i tyre do të zgjaste shumë pak. Në minutën e 44-të, pas një aksioni të gjatë, Rey Manaj ndjek mjaft mirë aksionin dhe më pas arrin ta dërgojë topin në trekëndëshin e portës.

Në fraksionin e dytë, Shqipëria ul disi ritmin e lojës, ndërkohë që Gjimshiti, Laçi dhe Gjasula janë më të spikaturit. Uzuni shpërdoroi një mundësi shumë të mirë shënimi, ndërkohë që bjellorusët shfrytëzuan më së miri një përgjumje të mbrojtjes sonë, duke rihapur ndeshjen në minutën e 80-të me Max Ebong. Tjetër gabim i Ismajlit, i cili në fakt në disa raste shfaqi pasiguri me lojën e tij. Pavarësisht këmbënguljes së bjellorusëve, rezultati nuk do të ndryshonte deri në fund. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP