Shqipëria nis në shtator Nations League, Kosova sfidon Maqedoninë e Veriut në 8 tetor!
Në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s ku ishte i pranishëm edhe presidenti i FSHF-së Armand Duka si anëtar i tij, u vendos edhe për sfidat e Nations League, ato të edicionit të ri 2020-2021 por edhe për sfidat play-off të këtij kompeticioni që do të përcaktojnë 4 skuadrat e fundit që do të kualifikohen në Euro 2020.
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të fillojë aventurën e saj në Ligën C të Ligës së Kombeve në fillim të shtatorit ndërsa në 18 nëntor do të ketë mësuar edhe pozicionin e saj në grup.
Ndërkohë tashmë ka një datë edhe për sfidën play-off të Kosovës me Maqedoninë e Veriut që do të luhet në Shkup. 8 tetori është data e përzgjedhur për këtë sfidë që nuk dihet ende nëse do të luhet me tifozë apo pa tifozë. Nëse dardanët kualifikohen në finalen e play-off , atëherë fituesen e çiftit Gjeorgji-Bjellorusi do ta sfidojnë në transfertë në datën 12 nëntor.
Ndeshjet e Nations League dhe Play-off i Euro 2020
Ndeshjet e grupeve për UEFA Nations League 2020-2021 do të luhen në këto data: 3/4/5 dhe 6/7/8 shtator; 10/11 dhe 13/14 tetor; 14/15 dhe 17/18 nëntor 2020.
Ndeshjet miqësore do të luhen në 7/8 tetor dhe 11/12 nëntor.
Ndeshjet e play-off të Euro 2020 do të luhen në 8 tetor dhe 12 nëntor