Shqipëria nis sot aventurën në Ligën e Kombeve, ndaj Islandës kemi dalë gjithmonë të mundur në transfertë

Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë sonte në mbrëmje aventurën në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë do të luajnë në transfertë ndaj Islandës, e cila barazoi 2-2 pak ditë më parë kundër Izraelit.

Skuadra e Rejës në fakt vjen me mungesa të rëndësishme, pasi nuk do të jenë në dispozicion Broja dhe Uzuni, por elementët për t’i zëvendësuar nuk mungojnë. Strategu italian me shumë mundësi do të vijojë me skemën e tij të zakonshme 3-5-2.

Në portë do të jetë Etrit Berisha, ndërkohë që para tij pritet të rreshtohen Ismajli, Kumbulla dhe Gjimshiti, ndërkohë që krahët do t’i mbulojnë Balliu me Hysajn. Në mesfushë mendohet të rikthehet pas shumë kohësh Amir Abrashi, i cili do të shoqërohet nga Gjasula dhe Çekiçi. Sulmi pritet t’i besohet Cikalleshit, i cili mund të mbështetet nga Seferi, por nuk përjashtohet as aktivizimi i Vrionit, i cili po kalon një moment fantastik.

Islanda dhe Shqipëria janë ndeshur në total 7 herë me njëra-tjetrën, 2 herë në kualifikueset e Botërorit, 4 herë në kualifikueset e Europianit. Në këto ndeshje tre janë fituar nga “kuqezinjtë”, ndërsa në katër përballjet e tjera kanë qenë islandezët ata që kanë triumfuar.

Duke ju referuar statistikave, kemi dalë gjithmonë të mundur nga transferta në Islandë, një e dhënë që tregon se duhet të kemi shumë kujdes sonte në mbrëmje.

Në Islandë, kombëtarja nuk do të jetë vetëm pasi tifozët do t’i mbështesin kuqezinjtë ashtu siç ndodh zakonisht në transferta. Me këngë, thirrje dhe me besimin për një rezultat pozitiv, ata po bëjnë provat e para për në darkë për t’i siguruar kuqezinjve një motiv ekstra në fushë për të marrë pikët e plota.

Mund të jetë një imazh i 10 persona, njerëz në këmbë dhe ujëvarë

 

SHKARKO APP