Shqipëria pret bashkë me Serbinë Kampionatin Europian U21, komente kundër Dukës dhe FSHF-së
Shqipëria dhe Serbia do të organizojnë së bashku Kampionatin Europian U21 të vitit 2027, me të dyja vendet që do të jenë pritëse të këtij evenimenti. Të enjten e 26 shtatorit, UEFA ka bërë me dije se vetëm oferta Serbi-Shqipëri përmbushi një afat të fundit këtë javë për të paraqitur planet e detajuara të turneut.
Federata Shqiptare dhe ajo serbe u bashkuan në maj të këtij viti për të mirëpritur evenimentin më të madh të futbollit në kontinent për moshat nën 21 vjeç.
Një gjë e tillë nuk është pritur mirë nga tifozët në Shqipëri e Kosovë, duke pasur reagime të shumta; aq sa kanë bërë që FSHF të bllokojë komentet në kanalet e komunikimit. Federata Shqiptare e Futbollit të enjten mbrëma publikoi në “Facebook” një fotografi të Ylber Ramadanit e Marash Kumbullës gjatë një dueli me një lojtar kundërshtar.
FSHF-ja fillimisht e la të hapur mundësinë e komentimit. Por pasi të gjitha komentet ishin fyese ndaj Dukës e FSHF-së, Federata Shqiptare limitoi mundësinë e komentimit.