Shqipëria sfidë historike ndaj Andorrës, zbulohet formacioni i Sylvinhos
Shqipëria zbret sot në fushë në orën 20:45, në një duel jetik për fatet e saj në Play Off-in e Botërorit. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Sylvinho do të përballen me Andorrën, skuadër që e mbyll grupin në vendin e fundit dhe pa asnjë objektiv real, por që pritet të kërkojë të prishë festën e vendasve.
Me 11 pikë dhe vendin e dytë në grup, Shqipëria kërkon vetëm fitoren për të mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit historik. Trajneri brazilian ka zgjedhur të mos bëjë eksperimente, në fushë zbret formacioni më i mirë i mundshëm, me emra që kanë dhënë garanci në ndeshjet e fundit.
Formacioni zyrtar i Shqipërisë:
Strakosha – Hysaj, Gjimshiti, Ajeti, Mitaj – Asllani, Laci, Shehu – Hoxha, Manaj, Broja
Sylvinho ruan boshtin e njohur të skuadrës, me Strakoshën që kthehet në portë si garanci për eksperiencë dhe qetësi. Mbrojtja përbëhet nga katërshja klasike Hysaj–Gjimshiti–Ajeti–Mitaj, një linjë që ka treguar stabilitet dhe disiplinë taktike.
Në mesfushë, Asllani është dirigjenti, ndërsa Shehu dhe Laci pritet të sjellin agresivitet dhe energji, duke ndihmuar si në prapavijë ashtu edhe në fazën ofensive.
Në sulm, Broja dhe Manaj do të jenë pikat e referimit për golin, me Hoxhën që pritet të mbështesë nga krahët me shpejtësi dhe depërtime. Kjo treshe sulmuese sinjalizon qartë se Sylvinho kërkon fitore me çdo kusht.

KOHA JONË SONDAZH

