Shqipëria sfidon Ishujt Faroe për ta mbyllur të parët, Sylvinho ka gati 6 ndryshime në formacion

Kombëtarja shqiptare mbrëmjen e sotme kërkon të finalizojë një rrugëtim thuajse perfekt në kualifikueset për “Euro 2024”, ku ka vendosur rekorde në historinë e saj. Edhe pse e kanë siguruar biletën për në Gjermani, kuqezinjtë tashmë synojnë të ruajnë vendin e parë në grup.

Sylvinho siç edhe e konfirmoi ditën e djeshme në konferencën për shtyp, do të bëjë disa ndryshime në këtë ndeshje.  Duke qenë se objektivi i kualifikimit është arritur dhe përballë kemi një kundërshtar modest, pritet që të luajnë lojtarët që nuk janë aktivizuar shumë në këto kualifikuese.

Në portë do të jetë Thomas Strakosha. Mbrojtja me katër, ku në vendin e Elseid Hysaj do të luajë Ivan Balliu ndërsa pjesa tjetër është po njësoj. Mitaj nga ana tjetër dhe Ismajli e Gjimshiti në qendër do të mbeten titullarë, ndërsa mesfusha përbëhet nga  Ylber Ramadani dhe Keidi Bare.

Mirlind Daku do jetë në majën e sulmit në mbështetje të Uzunit dhe Asanit nga krahët, ndërsa Muçi rreshtohet pas sulmuesit kryesor duke zënë vendin e Bajramit. Ndeshja do të luhet në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”.

SHKARKO APP