Shqipëria U-15 e mbyll me fitore kundër Sarajevës turneun “Josip Katalinski Škija”

Shqipëria U-15 ka fituar me rezultatin 2-0 takimin e fundit ndaj bashkëmoshatarëve të Sarajevës këtë të mërkurë, të e zhvilluar në Qendrën Stërvitore të ekipeve kombëtare të Bosnje-Hercegovinës, në kuadër të turneut “Josip Katalinski Škija”.

Një takim mjaft i mirë nga kuqezinjtë e vegjël që drejtohen nga trajneri Armand Dama, teksa golat për Kombëtaren i shënuan Arbër Lleshi dhe Denis Matraku.

Trajneri Dama e nisi ndeshjen me këtë formacion: Simon Lleshi (GK), Rey Jushi, Frensi Mali, Petro Marku, Dion Vata, Edin Jakupi, Majkol Luka (C), Denaldo Hyka, Arbër Lleshi, Denis Matraku dhe Dionis Pera.

Kuqezinjtë e panë shumë shpejt veten në avantazh, me Arbër Lleshin që realizon golin e parë për Shqipërinë që në minutën e 12-të të takimit. Skuadra e drejtuar nga trajneri Dama krijon disa raste të tjera të mira për të shënuar golin e dytë, por u mungon finalizimi. Në fillim të pjesës së dytë, Denis Matraku dyfishon shifrat për Shqipërinë, duke fiksuar kështu edhe rezultatin final 2-0 në favor të ekipit tonë, që e mbyll turneun me fitore ndaj Sarajevës.

Shqipëria e mbyll turneun me një fitore dhe dy humbje, por pavarësisht rezultateve dhe bilancit, ky turne i shërben shumë ekipit për të formuar grupin me lojtarët e vitlindjes 2009, të cilët do të marrin pjesë më pas edhe në turne të UEFA-s për moshat U-15.

SHKARKO APP