Shuhet në moshën 94-vjeçare ikona e portës shqiptare
Është shuar në moshën 94-vjeçare Sulejman Maliqati, ”Macja e Zezë” e futbollit shqiptar, Heroi i Lajpcigut, mbrojtësi i sigurtë i portës së Partizanit dhe kombëtares shqiptare, në periudhën 1950-1964.
”Mjeshtër i Merituar i Sportit”, ”Nderi i Kombit”, futbollist, trajner, kuadër i edukimit fizik, baba i dhëmbshur, bashkëshort i përkushtuar, gjysh ideal, shok dhe mik gati i të gjithë shqiptarëve. Kështu do të kujtohet Sulejman Maliqati.
Para pesë ditësh, Maliqati është rrëzuar dhe është dëmtuar rëndë. Me gjithë përkujdesjen e mjekëve, ai nuk mundi t’i përballonte dëmtimet dhe nuk mbijetoi.
Dy vite më parë, ai u nderua nga Presidenti Ilir Meta me titullin e lartë ”Nderi i kombit”, ndërkohë që për kontributin e dhënë ndër vite në sportin e futbollit portieri legjendar është nderuar edhe me titullin “Qytetar nderi” i Kavajës dhe “Mjeshtër i merituar i sportit”.