Shulku: Nesër presim lajme për futbollin, ja kur mund të rifillojë

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku ka folur për hapat që po ndiqen për rifillimin e futbollit në vend, por edhe planet për investime në infrastrukturë.

“Lajmi më i mirë është që nesër në mëngjes grupet e punës do të ulen në Ministrinë e Shëndetësisë, për të diskutuar mbi mundësinë e nisjes së stërvitjes dhe më pas edhe të kampionatit. Nëse biem dakord, ne duam të nisim stërvitjen menjëherë pas përfundimit të mbledhjes, ndërsa data e kampionatit lidhet ngushtë me datën se kur do të nisë stërvitja. Pra kampionati do të nisë minimalisht 10 ditë pas nisjes së stërvitjes, por koha ideale do të ishte pas dy javëve.

Bëhet fjalë për futbollin në tërësi, pasi duam që të gjithë verdiktet të jepen në fushë, por të shohim si do të shkojnë bisedimet dhe çfarë protokolli do të miratohet.

Tamponët? Kjo do të vendoset nesër në bisedime me përfaqësues të ministrisë, por ne nuk jemi në vendet e prekura në masë, ndaj nuk besoj se do të kemi nevojë për një numër shumë të madh tamponësh.

Pagat e Luftës? Kur ne morëm vendimin për të ndihmuar klubet dhe trajnerët në futbollin shqiptar, llogaritëm mirë mundësitë dhe arritëm në konkluzionin që ato dy paga, ose rreth 800 milionë lekë të vjetra, nuk do të ndikonin shumë në situatën financiare të FSHF-së.

Zyrat e reja? Në fakt sot që flasim e gjithë administrata po punon nga zyrat e reja, por kanë mbetur ende edhe disa punime të vogla për t’u përfunduar.

Stadiume në jug të vendit? Jemi në bisedime me klubin e Apolonisë së Fierit, bashkë me bashkinë e qytetit, për të rindërtuar stadiumin atje dhe për ta shndërruar në një impiant modern.

Stadiumi i Kamzës? Ka pasur një lajm që ka qarkulluar në media dhe që unë shpresoj të mos jetë i vërtetë, pasi edhe vetë kryetari i bashkisë së Kamzës në një dalje mediatike, pranoi se stadiumi nuk do të preket. Nuk është kompetencë e Bashkisë për të ndryshuar destinacionin e një terreni sportiv, ndaj unë besoj që nuk do të preket as stadiumi i Kamzës. Institucionet duhet të kujdesen për të ndërtuar terrene sportive dhe jo për të na i marrë ato”, tha Shulku në lidhje direkte për “FanZone”.

SHKARKO APP