Silva nuk ndryshon ngjyrat, por vetëm stemën, Tare arrin akordin me mesfushorin
David Silva, pas përfundimit të miniturneut në Portugali, që do vendosë fituesin e Champions League, do të largohet nga Mançester Siti. Pep Guardiola u mundua ta mbante edhe një tjetër sezon, por ai vendosi ta mbyllte me “Qytetarët” pas një dekade sukses në “Etihat Stadium”.
Disa klube janë vënë në kërkim të shërbimeve të tij, por Lacio duket se është më pranë. Mediet italiane raportojnë se vëllai, i cili është edhe agjenti i tij, ka vizituar “Formello”, qendrën stërvitore të Lacios dhe ka gjetur akordin në parim me drejtuesit Tare dhe Lotito.
Asgjë nuk është përfundimtare, pasi mbeten ende detaje për tu zgjidhur, por Lacio duket çdo ditë e më pranë firmës me një nga mesfushorët më të mirë të dekadës së fundit. 34-vjeçari do të jetë një vlerë e madhe për skuadrën e Inzagit dhe pritet të jetë lojtari kryesor i mesfushës së kryeqytetasve.