Sivasspor reagon për Manajn: Dënojmë komentet ndaj tij, po dëmtoni të ardhmen e futbollit turk
Rey Manaj është një nga lojtarët më të përfolur të momentit në mediat sportive në Turqi. Një ndërhyrje e ashpër e sulmuesit shqiptar, në fund të ndeshjes me Galatasaray-n, ndaj Barish Alper Jilmaz, ka shkaktuar polemika të mëdha.
Të shumta kanë qenë reagimet kundër Manajt, duke thënë se ndërhyrja ishte e qëllimshme. Komentet kanë shkuar deri në fyerje të mëdha dhe kërcënime.
Në këtë situatë edhe klubi i Sivasspor, është detyruar të dalë me një deklaratë zyrtare, ku kërkon ndalimin e komenteve të tepruara, duke shkruar se kështu po dëmtohet e ardhmja e futbollit turk.
“Duam të theksojmë që si klub kemi vlerësuar me kujdes incidentin që ka lidhje me ndërhyrjen e futbollistit tonë Rey Manaj ndaj lojtarit të Galatasaray, Barish Alper Jilmaz në fundin ndeshjes.
Ne nuk aprovojmë veprimin e lojtarit tonë, Rey Manaj. Megjithatë, ne besojmë se kjo situatë nuk duhet të interpretohet sikur lojtari ynë dëmtoi me dashje Jilmaz. Incidente të tilla në fushë janë pjesë e futbollit dhe janë plotësisht pasojë e reagimeve të momentit brenda lojës.
Klubi ynë dënon fuqimisht komentet e tepruara që kanë si objektiv Rey Manajn. Është e qartë që sjellje të tilla, të cilat janë kundër me vlerat themelore të sportit, dëmtojnë të ardhmen e futbollit turk”, shkruhet në komunikatën e klubit.