SPECIALE/ S’ka më kthim pas, vendimi i Messit për t’u larguar është i pakthyeshëm
Messi dëshiron të largohet nga Barcelona dhe asgjë apo askush nuk mund të bëjë që ai të ndryshojë mendim. Nuk është një produkt zemërimi i minutës së fundit, i poshtërimit nga Bayerni apo e ndonjë konflikti me presidentin Josep Maria Bartomeu, por një vendim i menduar shumë mirë dhe që nuk ka kthim pas.
As një dorëheqje hipotetetike e presidentit (siç pretendohet nga disa drejtues te klubi Blaugrana) nuk mund të ndryshojë situatën. Sipas gazetës pranë klubit, “Sport”, largimi i Messit është i pakthyeshëm dhe e vetmja zgjidhje që i mbetet klubit katalanas është që të negociojë transferimin e tij në ndonjë klub tjetër.
Messi është i bindur që klauzola e largimit, sipas kontratës nuk ka skaduar më 10 qershor. Juristët e argjentinasit po veprojnë në përputhje me frymën e asaj klauzole që përcaktoi 10 qershorin si 10 ditë pas përfundimit të sezonit. Fundi i sezonit më 23 gusht me finalen e Champions League për shkak të forcës madhore (pandemia koronavirus), ata konsiderojnë se është akoma në fuqi.
Në çdo rast, Messi nuk dëshiron të hyjë në një betejë ligjore me Barçën (pavarësisht se ka njoftuar vendimin e tij për të lënë klubin përmes një faxmail) dhe shpreson që Bartomeu në fund do ta kuptojë se e vetmja rrugëdalje është të pranojë një transferim që do të jetë me një vlerë shumë më të ulët se 700 milionë euro, aq sa është parashikuar në klauzolën e kontratës.
Këshilltarët e Leo-s mendojnë se lirimi nga klubi mund të ndodhë pa shumë probleme duke marrë në konsideratë faktin e i përfundon kontrata më 30 qershor 2021. Një nga zgjidhjet do të ishte një largim në stilin Ronaldo nga Reali, ku mund të vendoset një shifër pak më e lart se 100 milionë euro dhe ku mund të mbeten të kënaqur të gjitha palët.
Për momentin, nuk ka ndonjë ofertë zyrtare nga ndonjë skuadër për të nënshkruar Messin, por gjëja më e mundshme është që situata të precipitojë në orët e ardhshme dhe që Barça së shpejti do të marrë një telefonatë nga ndonjë klub. Me potencialin e tyre ekonomik vetëm klube të tilla si City dhe United në Premier League, PSG në Francë apo Inter në Itali mund të bëjnë një sakrificë të tillë financiare. /Rozalb Lika-Koha Jone/