Shqipëria e Rejës nuk di të shënojë gol (FOTO&VIDEO)
Shqipëria ka harruar të fitojë nën drejtimin e trajnerit Reja. Kuqezinjtë nuk mundën të shkonin më shumë se një barazim 0-0 në transfertën ndaj Lituanisë, që cilësohej si një shans i mirë për revansh pas humbjes me këtë ekip në “Air Albania Stadium”. Barazimi i dytë radhazi pa gola, që tregon edhe njëherë vështirësitë e mëdha që kanë kuqezinjtë në mungesë të disa futbollistëve me eksperiencë. Ishte një ndeshje tjetër me dy “fytyra” për kuqezinjtë.
Kuqezinjtë dominuan tërësisht në 45 minutat e para duke ju afruar disa herë golit të avantazhit. Sinjalin e parë e dha Qazim Laçi në minutën e 4-t me një goditje fluturimthi, e cila do të përfundonte shumë larg kuadratit të portës. Kombëtarja jonë luan mjaft mirë veçanërisht në krahun e majtë, atje ku Lenjani është shpesh herë i rrezikshëm me krosimet brenda zonës. Episodi më i dyshimtë ndodh në minutën e 24-të.
Pas një aksioni nga krahu i djathtë, topi shkon në zonë për Seferin, goditja e të cilit ndalet në dorën e një prej mbrojtësve lituanezë. Gjithsesi arbitri francez Abed nuk mendoi kështu, duke vijuar normalisht lojën, madje ndëshkoi me karton të verdhë Laçin, i cili do të mungojë në sfidën e radhës. Shqipëria është dominuese në fushën e lojës, duke krijuar një tjetër mundësi shumë të mirë shënimi në minutën e 38-të. Seferi provoi me një goditje të bukur fluturimthi, por portieri Svedkauskas bën një ndërhyrje fantastike, duke shpëtuar skuadrën e tij. Deri në fundin e fraksionit të parë, nuk do të kishim ndryshim të rezultatit, duke u mbyllur pa gola.
Pjesa e dytë ndërkohë nuk do të niste aspak mirë për Kombëtaren tonë, pasi lituanezët ju afruan golit me goditje në hyrje të zonës që përfundoi ngjitur me shtyllën e mbrojtur nga Berisha. Vendasit marrin frenat e lojës, teksa në minutën e 62-të, Novikokas vendoset përballë portierit Berisha, por portieri i Kombëtares sonë e ndal me një ndërhyrje shpëtimtare. Reja vendos të ndërhyjë në formacion duke aktivizuar Çekiçin në vend të Laçit, i cili humbi freskinë në lojë në pjesën e dytë. Në minutën e 65-të, Seferi ka mundësinë e ndeshjes për të kaluar Kombëtaren tonë në avantazh, por nuk arrin të shënojë i vetëm përballë portierit.
Një rast i diskutueshëm ndodh në minutën e 74-t, kur Trashi humbet mbulimin e Novikokas, por për arbitrin nuk ka penallti. Shqipëria “zgjohet”, teksa disa sekonda më pas Çekiçi lëshon një goditje të fortë nga distanca që ndalet në dy kohë nga portieri vendas. Në minutat e fundit, strategu i Kombëtares sonë hedh në fushë edhe Manajn në vend të Seferit, por loja është shumë e vakët. Në minutën e parë të shtesës, Trashi thuajse me portën e boshatisur në zonë, e godet shumë keq topin me të djathtën duke e dërguar topin jashtë kuadratit. Me këtë barazim pa gola, Shqipëria mbetet në vendin e dytë në Grupin 4 të Ligës C, pas Lituanisë, me të njëjtën kuotë pikësh, 5. /Rozalb Lika-Koha Jone/