Skandal në Champions League, tifozët polakë nxjerrin baner kundër Kosovës
Një ngjarje skandaloze ka ndodhur gjatë ndeshjes së raundit të tretë kualifikues në Champions League, mes Lech Poznan dhe Crvena Zvezdës, duke sjellë reagime të shumta në Poloni dhe më gjerë. Gjatë ndeshjes të zhvilluar në stadiumin polak, tifozët vendas shpalosën një banderolë gjigante ku shkruhej: “Kosova është Serbi” – një mesazh i qartë politik dhe provokues që ka ndezur polemika të shumta.
Ajo që ka thelluar edhe më shumë situatën, është reagimi i klubit serb, Crvena Zvezda. Përmes një postimi në rrjetet sociale, klubi falenderoi Lech Poznan për këtë veprim, duke shpërndarë edhe një foto të banerit, çka u interpretua si një përshëndetje ndaj qëndrimeve anti-Kosovë.
Ky gjest ka sjellë kritika të forta në opinionin publik polak, jo vetëm për përmbajtjen e banerit, por edhe për faktin që Serbia është një aleate e ngushtë e Rusisë, në një kohë kur Polonia është një nga mbështetëset më të forta të Ukrainës dhe qëndron në krah të aleatëve perëndimorë.
Vlen të theksohet se Polonia ishte një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, duke e vendosur veten qartë në krah të institucioneve të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Pas këtij incidenti, pritet të shihen veprimet e UEFA-s, e cila në të kaluarën ka ndëshkuar raste të ngjashme për mesazhe politike në stadiume. Ky rast rrezikon të kthehet në precedent të rrezikshëm, nëse nuk trajtohet me seriozitet dhe paanësi.
KOHA JONË SONDAZH

