Skandal në Turqi/ Arrestohen 17 arbitra dhe një president në elitën e futbollit
Futbolli turk është përfshirë nga një tjetër skandal i rëndë, teksa 17 arbitra dhe një drejtues klubi janë arrestuar në Stamboll si pjesë e një hetimi të gjerë për një rrjet bastesh të paligjshme që dyshohet se ka përfshirë figura të njohura të futbollit kombëtar.
Sipas zyrës së prokurorit të Stambollit, ndaj të arrestuarve janë lëshuar urdhra ndalimi, ndërsa dyshohet se disa prej arbitrave kanë ndikuar në rezultate ndeshjesh përmes manipulimeve të qëllimshme, çka përbën abuzim me detyrën dhe manipulim sportiv.
Ky operacion vjen vetëm një javë pas vendimit tronditës të Federatës Turke të Futbollit (TFF), e cila pezulloi 149 arbitra për përfshirje në baste të ndaluara. Sipas njoftimit të TFF-së, dënimet variojnë nga tetë deri në dymbëdhjetë muaj pezullim, megjithëse ende nuk dihet nëse mes tyre ka edhe arbitra që kanë vënë baste për ndeshje që vetë kanë gjykuar.
Në qendër të hetimeve ndodhet Zorbay Küçük, një nga arbitrat më të njohur në Turqi dhe i treti më i paguar i sezonit të kaluar në Süper Lig, i cili dyshohet se ka marrë pjesë në aktivitetet e paligjshme të basteve.
Hetimet e drejtësisë turke vijojnë, ndërkohë që besueshmëria e sistemit arbitrues në vend po kalon një krizë të thellë, duke shënuar një nga periudhat më të errëta në historinë e futbollit turk.
KOHA JONË SONDAZH

