Skandal në Vlorë, tifozët pushtojnë fushën dhe përleshen me lojtarët
Një ngjarje e rëndë ka njollosur pasditen futbollistike në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës, ku po zhvillohej ndeshja mes Flamurtarit dhe Teutës, e vlefshme për javën e 17-të të Abissnet Superiore.
Takimi u ndërpre në minutën e 68-të, kur disa tifozë vendas thyen rrethimin e sigurisë dhe hynë në fushën e lojës, duke shkaktuar një përleshje të papranueshme me lojtarët e ekipit kundërshtar. Situata krijoi kaos dhe tension të lartë, duke detyruar arbitrin të ndalë menjëherë ndeshjen.
Shkak i incidentit dyshohet të ketë qenë goditja e futbollistit të Teutës, Muço Boçi, autor i golit të avantazhit për ekipin durrsak. Pretendimet flasin për sulm fizik ndaj lojtarit, çka e përkeqësoi edhe më tej situatën në fushë.
Futbollistët e Flamurtarit, së bashku me forcat e policisë, ndërhynë me shpejtësi për të neutralizuar përleshjen dhe për të larguar tifozët nga fusha, duke shmangur pasoja edhe më të rënda. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, stadiumi u boshatis plotësisht dhe u mor vendimi që ndeshja të rifillonte pa praninë e tifozëve.
Takimi rinisi nga minuta e 68-të, ndërsa Flamurtari arriti të barazojë shifrat në minutën e 90-të me golin e shënuar nga Chantakias, duke mbyllur ndeshjen në rezultatin 1-1.
Incidenti pritet të ketë pasoja të rënda disiplinore për klubin vlonjat, ndërsa Komisioni i Disiplinës pritet të shqyrtojë ngjarjen dhe të marrë vendime përkatëse në ditët në vijim.

KOHA JONË SONDAZH

