Skënderbeu i shkakton një humbje të hidhur Tiranës së Ahmataj

Skënderbeu vazhdon të surprizojë në Kategorinë Superiore. Skuadra korçare ka arritur që të marrë një fitore të madhe 2-1 ndaj Tiranës, duke u ngjitur në kuotën e 20 pikëve dhe duke rikthyer krizën e rezultateve te bardheblutë e kryeqytetit.

 

Në një nga sfidat më të rëndësishme të javës, interesi i tifozëve në shkallët e stadiumit nuk ishte në nivelet e pritshmërive, por në fushën e lojës të dyja skuadrat zhvilluan një futboll të kënaqshëm. Korçarët arritën të zhbllokojnë sfidën që në minutën e 18-të me anë të sulmuesit kryesor të tyre, Blerim Krasniqi.

Tirana reagoi mjaft mirë duke u hedhur në sulm, por Koliçi ishte në një mbrëmje të mirë.  Ky i fundit bëri disa pritje interesante, ndërsa shokët e tij të skuadrës tentuan të vënë në vështirësi kryeqytetasit me anë të kundërsulmit dhe pikërisht në një të tillë gjetën edhe golin e dytë me Ndecky në minutën e fundit të kohës së rregullt.

Ishte një zbritje e shpejtë e Otto John, që hyri në zonë dhe shërbeu saktë për Ndecky, që gjuajti menjëherë dhe topi u përplas në traversë e ra brenda kuadratit të Likës. Në minutën e tretë shtesë, bardheblutë arritën të shënojnë golin e nderit me anë të fantazistit shkodran Edon Hasani, por koha e mbetur nuk mjaftoi që djemtë e drejtuar nga Julian Ahmataj të shmangin humbjen.

Kjo ishte fitorja e dytë radhazi për Skënderbeun, që u ngjit në kuotën e 20 pikëve, ndërsa Tirana nuk fiton prej 3 javësh dhe mbetet në kuotën e 19 pikëve, 3 pikë më pak se Partizani kryesues, që do të luajë të hënën me Laçin.

SHKARKO APP