Skënderbeu reagon për dhunën në Fushë-Krujë: Vandalizëm i mirëorganizuar
Klubi i Skënderbeut ka reaguar sërish në lidhje me incidentin para ndeshjes me Kastriotin, ku tre futbollistë të Skënderbeut u dhunuan fizikisht. Në reagimin e gjatë në faqen zyrtare të klubit jugor theksohet se gjithçka ka të bëjë me një vandalizëm të mirëorganizuar ndaj Skënderbeut.
Reagimi i plotë
Duke marrë shkas nga ngjarjet e pragndeshjes së sotme, KF Skënderbeu dënon fuqishëm aktet e ndodhura në Fushë-Krujë dhe vendosjen para drejtësisë të personave përgjegjës.
Kemi vënë në dijeni sot të gjithë opinionin futbolldashës me reagimin e përpara fillimit të takimit, ku janë goditur qysh në hyrje tre lojtarë të Skënderbeut. E themi me bindje se ky vandalizëm ndaj nesh ka qenë i mirëogranizuar deri në detaje, aq më tepër në hyrje të stadiumit kur njerëz të paautorizuar janë vërsulur ndaj lojtarëve tanë duke përfituar edhe nga kushtet e papërshtatshme që ka stadiumi ku u luajt edhe ndeshja por edhe nga mungesa e forcave policore apo sigurisë private.
Sigurisht që kjo ngjarje ndikoi edhe në mbarëvajtjen e ndeshjes, por me këtë nuk duam të justifikojmë aspak humbjen që pësuam në këtë takim të javës së 20-të. Kërkojmë nga Federata Shqiptare e Futbollit sa më parë që të merren masa për incidentin e ndodhur sot në Fushë Krujë dhe parandalimin e këtyre fenomeneve në vijim të sezonit për një mbarëvajtje sa më të mirë të garës.
KF Skënderbeu kërkon me ngulm nga organet kompetente nisjen e hetimeve, zbardhjen e plotë të çështjes dhe evidentimin e autorëve të këtij incidenti të mirëorganizuar paraprakisht, ndryshe Klubi i Futbollit “Skënderbeu” do të rishikojë vazhdimin e garës deri në fund.
Edhe njëherë nuk duam të justifikojmë humbjen, por atë që pa me sytë e vet sot ekipi në takimin ndaj Kastriotit vetëm për futboll nuk mund të flitet më pas.
Në pritje të reagimit të organeve kompetente.
Me respekt, Klubi i Futbollit ‘Skënderbeu’
KOHA JONË SONDAZH

