Skënderbeu – Tirana, Mirel Josa: Më intereson fitorja, jo kush paguan dritat
Krye-ndeshja e javës së 25-të do të luhet nesër në Korçë, ku Skënderbeu katër herë radhazi kampion do të presë Tiranën, skuadra që numëron 24 tituj kampion në Shqipëri. Mirel Josa, ish-lojtar dhe ish-trajner i Tiranës vazhdon të jetë në stol prej fillimit të sezonit të kaluar dhe e sheh fitoren si mundësi për suksesin e tij të radhës, pas trofeut që fitoi sezonin e kaluar. Edhe trajneri i Tiranës, Gugash Magani, po kalon sezonin e tij të dytë në drejtimin e bardhebluve, por ndryshe nga një vit më parë kur i duhet të bënte llogaritë për mbijetesë, nesër ai kërkon të shmangë humbjen, që të mos komplikohet objektivi sa i përket garës për titullin kampion. Përballja mes dy trajnerëve, që si rrallë herë në Shqipëri ndodh të kenë me tepër se një vit në stol, shihet edhe si një sfidë personale mes tyre.
Skënderbeu
Një ditë para ndeshjes, teksa përgatitjet e Skënderbeut kanë përfunduar dhe gjithçka është gati, trajneri i jug-lindorëve Mirel Josa analizoi ecurinë e skuadrës së tij në prag të kësaj supersfide. – “ Jemi ekipi kampion, dhe mendoj se kemi pasur një ecuri pozitive këto javët e fundit, pavarësisht disa pikëve të lëna rrugës, kështu që nuk ka se pse mos të synojmë fitoren,” – theksoi Josa. Më ej tekniku kryeqytetas i korçarëve e vlerëson skuadrën e Tiranës dhe thekson se koha më e madhe që badheblutë kanë pasur në dispozicion për të rikuperuar forcat mund të ketë ndikim, në ndeshje. – “Çdo skuadër është e kalueshme, Tirana sigurisht është një ekip pretendent, e cila duhet vlerësuar maksimalisht. Nga ana tjetër ne duhet të tregohemi të kujdesshëm edhe për faktin që bardheblutë nuk luajnë prej 10 ditësh.”
Tirana
Bardheblutë ndodhen prej ditës së sotme në Pogradec, në pritje të sfidës me Skënderbeun. Ata kanë festuar 34- vjetorin e lindjes së futbollistit kryesor të skuadrës, Ervin Bulku, një ditë para ndeshjes dhe shprehen të sigurtë se nuk do të dalin pa pikë nga Korçë. Presidenti Refik Halili mësohet t’iu ketë premtuar një shpërblim në rast fitoreje, shumë e së cilës nuk bëhet e ditur. Tiranës i mungon titulli kampion prej vitit 2009 dhe një skuadër e mësuar me trofe, e sheh veten këtë sezon të kompletuar dhe të përgatitur për një sukses të tillë. Trajneri Gugash Magani e sheh përballjen e radhës me Skënderbeun të vështirë për fitore, por jo të pamundur , dhe ka preferuar të mos japë deklarata bombastike. Ndikumana, njeriu i ndeshjes së kaluar ndaj Skënderbeut, premton gol dhe fitore para sfidës vendimtare, që do të luhet nesër në Korçë, ora 17:00.
Stadiumi
Ndeshja Skënderbeu-Tirana ishte në rrezik për shkak të mungesës së dritave, pasi OSHEE i preu energjinë stadiumit dy ditë para këtij takimi, për shkak të borxheve të pashlyera. Por gjithçka është ndrequr një ditë para ndeshjes dhe Tirana-Skënderbeu do të luhet nesër sipas programit dhe orarit të përcaktuar më parë. Trajneri i kampionëve të Shqipërisë, Mirel Josa, u ndal edhe tek problematika e momentin në klubin korçar, ajo e mungesës së energjisë elektrike në stadium. – “ Normalisht që është problem , kur nuk ke mundësi t’iu flasësh lojtarëve në dhomat e zhveshjes për shkak të klimës së ftohtë si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Mua më intereson që klubi të shlyejë detyrimet ndaj lojtarëve, pak rëndësi ka për mua se kush i paguan faturat e energjisë.” Skënderbeu duket gati për këtë përballje mjaft të rëndësishme ku do të përcaktohet një fetë jo e vogël e tortës së kampionatit.
Kategoria Superiore
Java e 25-të – Sot
Kukësi- Teuta 14:00
Laçi-Vllaznia 14:00
Skënderbeu-Tirana 17:00
Partizani-Flamurtari 14:00
Nesër
Elbasani-Apolonia 14:00
KOHA JONË SONDAZH

