Skënderbeu “vret” kampionatin, fiton edhe në sfidën direkte me Flamurtarin (VIDEO)
Super ndeshja që hap javën e 19-të në Kategorinë Superiore fitohet nga Skënderbeu minimalisht 1-0. Në Korçë të dyja skuadrat prodhojnë një 90 minutësh me shumë intensitet dhe rivalitet, por me të dyja skuadrat shumë të vëmendshme kryesisht në fazën defensive.
Skënderbeu dominon në mbajtjen e topit në 45 minutat e para, por korçarët nuk arrijnë që të konkretizojnë mundësitë e tyre për shënim. Në minutën e 11-të, Soue, u rrëzua brenda zonës, por gjyqtari vijoi lojën. Flamurtari kundërpërgjigjet me Bushiç, por sulmuesi i vlonjatëve nuk kontrollon topin siç duhet i vetëm para portës kundërshtare, duke kujtuar se ishte në pozicion jashtë loje dhe lë sferën të përfundojë në fundore.
Për të parë rastin e parë të rrezikshëm, mendon Mici në minutën e 36-të. Mbrojtësi futet mjaft mirë brenda zonës, por tentativa e tij përkëdhel rrjetën e jashtme. 4 minuta më pas Alvesh provon më në fund të gjuajë në portë me një tentativë të fortë nga e majta, por Shehi është në pozicion.
Skënderbeu e nis mjaft mirë pjesën e dytë, teksa Gavazaj provon me një goditje nga jashtë zonës, por është shumë qendrore për Nurkoviç i cili kontrollon me qetësi. Në minutën e 58-të, Flamurtari kundërpërgjigjet me një kombinim fantastik mes Alvesh dhe Useinit, që finalizohet nga ky i fundit me një goditje që përfundon mbi traversë. 10 minuta më pas është Xhejms në krahun tjetër që pason në zonë për Soue, por goditja e bomberit të korçareve përfundon ngjitur me shtyllën.
Në minutën e 81-të, Danilo Alvesh provon një goditje të fortë nga një pozicion i vështirë, por portieri Shehi grushton topin në goditje nga këndi. Dy minuta më pas Skënderbeu shënon golin e avantazhit. Jashanica godet me kokë fillimisht, me topin që ndalet nga portieri Nurkoviç, më pas Xhejms ndalet sërish nga portieri, ndërkohë që Muzaka shkon më pas për ta shtyrë topin në rrjetë. Pas kësaj fitoreje skuadra korçare thellon diferencën me vlonjatet nga 8 në 11 pikë. /Koha Jonë/
KOHA JONË SONDAZH

