Skiatorja kuqezi Lara Colturi mbyll me rezultat pozitiv garat në Austri
Lara Colturi e ka mbyllur sot garën e sllallomit në Semmering të Austrisë në vendin e 14-të. Kjo garë erdhi pasi Colturi mbylli me sukses edhe ditën e parë të garimit në Semmering të Austrisë në Kupën e Botës të skive alpine, njofton Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar.
Kjo ishte edhe gara e fundit për këtë vit kalendarik, i cili ishte një vit i shkëlqyer për 18-vjeçaren kuqezi.
Një vit që kulmoi me vendin e dytë në etapën e Gurgl më 23 nëntor. Tashmë, Lara është një talent i konfirmuar dhe ka konsoliduar veten në top 15 në të dyja disiplinat teknike, si në Sllallom, ashtu edhe në Giant Sllallom.
Gjatë vitit 2024, Lara arriti plot 10 herë të jetë në Top 15 dhe nga këto, 4 herë midis 10 më të mirave.
Sportistja që garon për Shqipërinë bëri një lëshim të parë të shkëlqyer, duke u renditur në vendin e 8-të në Giant Slalom. Pikët e grumbulluara nga sportistja 18-vjeçare i japin mundësinë të jetë mes 15 më të mirave të botës. Kështu ajo përmbyll një vit të jashtëzakonshëm.
KOKSH njofton se Kupa e Botës rifillon më 4-5 janar 2025, në Kranjska Gora të Sllovenisë. ATSH