Sllovakia befason Poloninë, Lewandowski nuk lë gjurmë (VIDEO)

Polonia zhgënjen që në sfidën e parë në “Euro 2020”, duke pësuar një humbje 1-2 në Shën Petersburg. Skuadra e Paulo Sosa-s, tregoi mangësi të mëdha në mbrojtje duke ja bërë më të thjeshtë triumfin kundërshtarëve. Në minutën e 18-të, Robert Mak i shkëputet mjaft mirë mbrojtjes së polakëve dhe më pas lëshon një goditje të fortë, që nuk arrin të ndalet në mënyrën më të mirë nga portieri Szczesny. “Gardiani” i Juventusit shkaktoi autogolin e parë historinë e Europianeve nga portierët.

Polonia reagoi vetëm në fillimin e pjesës së dytë me një aksion shumë të bukur. Pas vetëm 30 sekondash, Linetty ishte në kohën dhe në vendin e duhur në zonë, për të finalizuar aksionin që zgjati me shumë pasime. Në të 62-ën, Krychowiak komplikon sfidën e polakëve, duke marrë kartonin e dytë të verdhë, duke lënë shokët me një futbollistë më pak.

Sllovakia e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë, duke rigjetur avantazhin në minutën e 69-të. Pas një goditje nga këndi, Milan Skriniar bën sulmuesin duke kontrolluar fillimisht topin dhe më pas godet mjaft mirë në cepin e portës. Lewandowski nuk mundi të linte shenjë në këtë ndeshje, teksa tashmë Polonia e tij rrezikon eliminimin. /R.Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP