Sormani: Jemi drejt përmirësimit, ja si mund të shkojmë te titulli
Fitorja ndaj Luftëtarit ka rikthyer besimin te trajneri i Partizanit. Në konferencën për shtyp para ndeshjes së radhës ndaj Flamurtarit, strategu i të kuqve Adolfo Sormani është shfaqur i qeshur teksa ka folur për aktualitetin në shtëpinë e Partizanit.
“Problemi nuk është vetëm rezultati, ajo që vlen më shumë është që shoh lojën e skuadrës. Skuadra duhet të jetë drejt përmirësimit dhe paraqitjeve të mira. E kam shpjeguar edhe më parë, që nëse skuadra pëson gol, nuk është vetëm faji i mbrojtjes, por është ekuilibri i skuadrës. Është një punë ku skuadra duhet të funksionojë në mënyrë totale. Merita është e të gjithë skuadrës dhe kur shënojmë. Nëse skuadra po funksionon në total, mendoj që po kjo vlen dhe ne marrim më pak gola.
Objektivi titull? Arrihet duke i marrë ndeshjet një e nga një sikur të jenë finale. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë te titulli. Unë mendoj që duhet të marrim maksimumin në çdo ndeshje pa bërë parashikime.
Besëlidhja? Në ndeshjen e parë kemi bërë një paraqitje zhgënjyese. Nga momenti që mora drejtimin e Partizanit, kjo ishte e vetmja ndeshje që ekipi nuk më ka bindur. Duhet ta përsëris që ne përqendrohemi vetëm për ndeshjen e radhës.
Rikthimi i Malës dhe Romero? Për Malën është vendim që i përket klubit. Nëse ndryshon vendim klubi, do jemi të gjithë të kënaqur. Ndërsa për Romeron, situata është tërësisht e ndryshme. Ai nuk është pjesë e skuadrës, pasi forma e tij fizike nuk i përgjigjet as që unë kërkoj. Ai po ndjek një program individual, për të arritur në 100% e formës që unë dëshiroj.
Formacion bazë? Unë nuk ndryshoj mentalitetin e lojës, kushdo që do jetë në fushën e lojës duhet të japë kontributin e tij. Në skuadër nuk janë vetëm 11 lojtarë, por janë të gjithë ata që unë kam në dispozicion. Secili ka vendin e tij dhe në çdo moment ai duhet të japë 100% e tij dhe këtë pres unë. Jemi duke punuar me lojtarë e rinj që unë kam shumë besim”, deklaroi Sormani.